Avokati i Popullit: Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme do ta dërgojmë në Kushtetuese
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka bërë të ditur se Ligjin për Zgjedhjet do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën e fundit për këtë vit, ai shtoi se për këtë i ka dërguar letër presidentes Vjosa Osmani, madje tha se nuk është në kompetencën e tij, se cili ligj u konvenon ose jo zyrtarëve politik.
Kjo pasi deklarata e tij në një debat në Kuvend u bën “mollë sherri”, ndërmjet presidentes Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti. Qelaj pohoi se Ligji për zgjedhjet ka tejkaluar atë për barazinë gjinore dhe këtë nuk e lejon Kushtetuta.
“Logjikisht edhe ne aspektin praktik, Avokati i Popullit konsideron se është e domosdoshme. Ju e dini që ligji për zgjedhjet ka kaluar me një seancë pa ndonjë diskutim publik që kish me i shtjerr të gjitha diskutimet lidhur me temat që mund të jenë kontestuese. Ligji ka kaluar pa e përfshirë një prej aspekteve të rëndësishme që e përcakton Kushtetuta e Kosovës dhe ligji për barazi gjinore. Unë i referohem kryesisht asaj çka thotë Kushtetuta, në nenin 7 të Kushtetutës tek përcaktimi i vlerave është theksuar në mënyrë eksplicite se vlerë Kushtetuese në sistemin juridik të vendit tonë është barazia gjinore dhe në rast kur kemi një kuotë 30 e nuk kemi një barazi të barabartë 50-50 për mua është në kundërshtim me këtë parim Kushtetues”.
“Nuk duhet me keqkuptuar kjo kuotë nuk ka të bëjë me numrin e deputetëve dhe deputetëve në Kuvend, pra nuk është kuota minimale e përfaqësimit të grave në Kuvend, është vetëm kuota minimale e përfshirjes së grave në listat për kandidat për Kuvend të Kosovës dhe për listat në nivel lokal në zgjedhje. Ne të nesërmen ju kemi drejtuar presidencës së Kosovës me një letër, letrën e kemi bërë publike, ku janë dhënë edhe arsyet edhe vlerësimi që Avokati i Popullit ja ka bërë kësaj çështje. Nuk kam arrit me i dëgjuar çka kanë biseduar dhe për Avokatin e Popullit është pak e rëndësishme ajo çafër diskutojnë të tjerët, e rëndësishme është ajo çfarë unë krijoj si bindje dhe kur konstatoj se një çështje i duhet nënshtruar vlerësimit të Kushtetutës u besoj që kjo duhet të ndodhë”, tha ai.