Avdullah Hoti: Shpresoj të kemi zgjedhje sa më shpejtë, Kurti është dorëzuar
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaron se Lidhja Demokratike e Kosovës i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme për të përmirësuar situatën aktuale të vendit.
Deputeti nga radhët e LDK-së, Hoti në një intervistë për KosovaPress derisa thotë se Qeveria Kurti tashmë është dorëzuar, ai uron që procesi zgjedhor të ndodhë sa më shpejtë në mënyrë që të ketë një qeveri të përgjegjshme që udhëheq vendin në bashkëpunim me aleatët, pasi sipas tij, kjo ka munguar me qeverinë aktuale.
“Ka disa muaj që kryeministri i vendit është dorëzuar, është i gatshëm të shkojë në zgjedhje, dhe në ndërkohë nuk është duke ndodhë asgjë. Kuvendi i Kosovës është pothuajse jo efektiv, mblidhemi në tre javë në seanca të cilat nuk funksionojnë fare pasi nuk ka vullnet nga shumica për ta quar agjendën legjislative përpara. Opozita është kundër plot proceseve që kanë ndodhë në Kosovë dhe është duke e pamundësuar funksionimin normal, sepse gati këta janë në shpartallim e sipër si funksionim qeveritar. Unë shpresoj se procesi zgjedhor të ndodhë sa më shpejtë që të kemi një qeveri të përgjegjshme që merr përsipër udhëheqjen e vendit në bashkëpunim me aleatet duke u marrë me prioritetet e këtij vendi siç është ekonomia dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët, është fatkeqe për shtetin e Kosovës që jemi me një situatë ku është izoluar komunikimi i rregullt jo vetëm me aleatët ndërkombëtar, por edhe me shqiptarët në rajon. Asnjëherë Kosova nuk i ka pas marrëdhëniet më të acaruara me Shqipërinë, shqiptaret në Maqedoninë e Veriut, me forcat politike të shqiptareve në Luginë të Preshevës”, deklaron Hoti.
“Kemi shtrirë prezencë shumë të mirë në diasporë ku janë 40 për qind e qytetarëve të Kosovës, po vazhdojmë të bëjmë një opozitë dinamike konstruktive, të argumentuar më shifra, analiza konkrete për t’i informuar qytetarët si është qeverisur deri tash. Të gjitha përgatitjet në aspektin partiak i kemi bërë, nuk ka asnjë problem për neve. Përkundrazi, ne kërkojmë që sa më parë të ballafaqohemi me procese zgjedhore dhe të japim vendin e një qeverie që është e përgjegjshme. Jam shumë në terren, kam dalë intensivisht gjatë këtyre muajve në diaspore, po takohemi me qytetarët tonë atje. Dal në terren shumë, në veçanti në rajonin e Dukagjinit, kam kontakte shumë të shpeshta me komunitetin e biznesit në nivel vendi, me OJQ të ndryshme, me grupe të caktuara të qytetarëve , kam një perceptim se si e shohin njerëzit këtë qeverisje. Dëshpërimi me këtë qeveri është në kulm. Shihni grupet e qytetarëve, s’ka komunikim me bizneset, është i lënë anash, ka pas luftë me sindikatat, policet, protestat që kanë bërë njësitë speciale pra qeverisë, komunikimi mes qeverisë dhe arsimtarëve është në pikën më të ulët që ka ekzistuar ndonjëherë, ky është sondazhi për mua që më jep të besoj se duhet të kthehet besimi i qytetarëve në LDK”, thekson Hoti.