Autobusi bie në humnerë, së paku 25 të vdekur në Indi - NACIONALE

Autobusi bie në humnerë, së paku 25 të vdekur në Indi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën 25 persona kanë vdekur, pasi një autobus ra në një humnerë në rajonin verior indian, Uttarakhand.

Zyrtarët thanë se të paktën 40 persona ishin në autobus, kur ai doli nga rruga dhe ra në humnerë në distriktin Pauri Garhwal të martën në mbrëmje, raporton televizioni BBC.

Deri më tani, 21 pasagjerë janë shpëtuar gjatë operacionit të zhvilluar natën e të udhëhequr nga forca shtetërore për reagim ndaj fatkeqësive.

Në autobus ndodheshin dasmorë që po shkonin nga Laldhang-u për në Bironkhal, kur ndodhi aksidenti.

Shkaku i aksidentit nuk qe menjëherë i ditur, por autoritetet shtetërore thanë se janë duke e hetuar rastin.

Kryeministri rajonal, Pushkar Singh Dhami, tha se e tërë ndihma e mundshme po u ofrohet ekipeve të shpëtimit gjatë përpjekjeve të tyre.

Siguria në rrugë është në nivel goxha të ulët në Indi. Më shumë se 100.000 njerëz vdesin çdo vit në këtë shtet në aksidente rrugore për shkak të vozitjes së pakujdesshme e gjendjes së dobët të rrugëve.

Lajme të ngjashme