Austini i ShBA-së konfirmon: Ka dëshmi që në Rusi ka ushtarë të Koresë së Veriut
Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, tha të mërkurën se ka dëshmi që trupa të Koresë së Veriut ndodhen në Rusi dhe se mbetet të shihet se çfarë do të bëjnë ata atje.
“Ka dëshmi që ka trupa të Republikës Popullore Demokratike të Koresë [emri zyrtar i Koresë së Veriut] në Rusi” – tha zyrtari i lartë amerikan para gazetarëve në Romë, raporton agjencia “Reuters”.
“Çfarë janë duke bërë saktësisht ata? Mbetet të shihet. Ka gjëra që duhet t’i zgjidhim” – shtoi sekretari Austin.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka cituar të dhëna të inteligjencës për përgatitjen e dy njësiteve me deri në 12 mijë trupa të Koresë së Veriut, që do të merrnin pjesë në luftë krahas forcave ruse.