Austin: Vdekja e Sinwarit të Hamasit krijon mundësi për armëpushim
Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje Izraelit, Hamasit dhe Hezbollahut që t’i shfrytëzojnë mundësitë për ndryshim pas vrasjes së kreut të Hamasit, Yahya Sinwar, tha të premten sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin.
“Do të shohim se si evoluojnë gjërat” – tha zyrtari i lartë amerikan, kur u pyet për zotimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për ta vazhduar luftën, raporton agjencia “Reuters”.
“Por qartazi ka mundësi për një ndryshim të drejtimit dhe ne do të shpresonim që, e dini, palët ta shfrytëzonin këtë, edhe në Liban, edhe në Gaza” – shtoi ai.
Ushtria izraelite tha të enjten se kreu i Hamasit ishte vrarë gjatë një operacioni në jug të Rripit të Gazës të mërkurën.
Austini tha se forcat amerikane në Lindje të Mesme qëndrojnë të gatshme për ta përkrahur mbrojtjen e Izraelit.