Atentat i dyfishtë në Lezhë, vriten burrë e grua në makinë
Një atentat me armë zjarri tronditi pasditen e sotme zonën e Balldres në Lezhë, ku humbën jetën Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij, Gentjana Mujeci.
Çifti po udhëtonte me makinë kur automjeti i tyre u qëllua me breshëri plumbash gjatë lëvizjes. Sipas të dhënave paraprake, mbi 30 plumba janë shkrepur në drejtim të makinës, duke e lënë çiftin të vdekur në vendngjarje.
Drejtori i Policisë së Lezhës, Arben Nasufi, konfirmoi se automjeti u sulmua ndërsa ishte në lëvizje. Forcat e policisë mbërritën menjëherë në zonë dhe nisën hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Kreshnik Mujeci rezulton se në tetor të vitit 2017 ishte arrestuar si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Genci Mhillajt në Shkodër. Në atë kohë, ai ishte 30 vjeç dhe akuzohej për veprën penale “vrasje me paramendim”, të kryer në bashkëpunim.
Rrethanat e atentatit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetuesit po mbledhin prova në vendngjarje dhe po verifikojnë pistat e mundshme të ngjarjes. Policia vijon punën për zbardhjen e plotë të krimit dhe gjetjen e personave përgjegjës.