Asnjë grua s'u kandidua për rektore të UP-së, Halimi: Dëshpëruese, lajm i trishtë
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, e ka quajtur “dëshpërues”, faktin se asnjë grua nuk është kandiduar për rektore të Universitetit të Prishtinës.
Halimi përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ky është lajm i trishtë dhe demotivon gratë dhe vajzat për të marrë pozita udhëheqëse.
“Vendi ynë ka mjaftueshëm zonja të përgatitura për të qenë në krye të Universitetit, institucionit më të lartë të dijes që ka Kosova. Ndaj përpjekja jonë e gjithmbarshme për meritokraci e mundësi të barabarta në çdo instancë shtetërore e shoqërore, duhet të vazhdojë tutje, që potenciali i gjysmës të shoqërisë, të shfrytëzohet për të mirën e tërësisë së saj”, ka thënë ajo tutje.
Ndërkohë, Kallxo.com gjatë ditës raportoi se kandidatët që kanë aplikuar në konkursin për rektor janë: Ilir Tolaj, But Deda, Salih Salihu, Sefer Avdijaj, Ermir Rogova, Qerim Qerimi.
Konkursi për rektor ka qenë i hapur deri më 7 nëntor, në ora 16:00.
Zgjedhja e rektorit të ri të UP-së vjen pas shkarkimit të Naser Sahitit nga kjo pozitë.
