Dyshime për ndikim nga pushteti, Këshilli Drejtues e shkarkon rektorin e UP-së - NACIONALE

Dyshime për ndikim nga pushteti, Këshilli Drejtues e shkarkon rektorin e UP-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, është shkarkuar nga kjo pozitë.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues e cila po vazhdon, por pa praninë e mediave të cilat nuk janë lejuar të hyjnë në takim.

Ky lajm i është konfirmuar gazetës Nacionale edhe nga disa burime të afërta me zhvillimet. Sahiti është shkarkuar me 8 vota për dhe 1 abstenim.

Pasuese e Naser Sahitit pritet të emërohet Luljeta Plakolli-Kasumi, ka mësuar Nacionale nga burimet e veta.

E pyetur në anën tjetër nga RTV Dukagjini nëse është e gatshme ta pranojë një përgjegjësi të tillë, Plakolli-Kasumi ka thënë se do t’i duhet kohë ta mendojë.

“Nuk e di, duhet të mendohem sepse ishte pak befasi, duhet të mendohem por nëse është diçka që i ndihmon procesit, atëherë ndoshta edhe e shqyrtoj por nuk e di njëherë. Duhet edhe njëherë me pa a është propozu përnime emri im”, ka thënë ajo.

Plakolli-Kasumi, është familjare e presidentes Vjosa Osmani, por ka thënë se me presidenten janë kushërira të largëta.

“Nëse mu ka propozuar emri, ajo është me siguri për shkak të meritave të mia, punës time jo pse jam familjare e dikujt”, deklaroi ajo për RTV Dukagjinin.

Drejtuesi i organizatës ORCA, Rron Gjinovci, ka shkruar menjëherë duke thënë se ky vendim u mor në koordinim me Ministrinë.

Këshilli Drejtues përbëhet prej 9 anëtarëve, 4 të dërguar nga Ministria dhe 5 nga Senati i UP-së. 5 anëtarët e Senatit e kanë filluar mandatin e tyre para 20 ditësh, më 1 tetor. Në mesin e 5 anëtarëve të dërguar nga Senati më të votuarit e tyre kanë qenë plagjiatori Selim Bezeraj dhe infamozi Rifat Krasniqi. Për ta shkarkuar rektorin duhen 6 vota. Pra, as përfaqësuesit e Senatit as ata të Ministrisë nuk mund ta bëjnë këtë pa një bashkëpunim. Kjo tregon që përfaqësuesit e Ministrisë në krye me Altin Sahitin që edhe e drejton këtë Këshill, kanë bërë pakt me selimët dhe rifatët për ta shkarkuar rektorin që denoncon publikisht plagjiaturën. Urime reforma me Rifatin, Selimin, Dugollin!”, thuhet në reagimin e tij.

Qëndrimi i Naser Sahitit

Pak orë para se të niste mbledhja e Këshillit, rektori Sahiti kishte pritur në takim organizatën ORCA.

Aty kishte deklaruar se në kuadër të Këshillit Drejtues ka edhe plagjiatorë të konfirmuar.

“Unë e kam denoncuar Selim Bezerin sepse u konfirmua që nuk do të ketë lëvizje nga ana e Këshillit Drejtues. Tash jemi në pritje si do të veprojë Këshilli. Nëse rezulton të shkarkohem bashkëpunim nuk do të përfundojë në forma tjera”, deklaroi Sahiti.

“Për krejt opinionin nëse s’marrin veprime unë do të korrigjohem për të luftuar këto dukuri. Nuk kam mundësi ta ndryshojë formën e qeverisjes. Nëse UP do të bëhet universitet serioz është e rëndësishme të eliminohet plagjiatura”, tha ai.

No description available.

Alarmin se pushteti po tenton të ndikojë në Universitetin e Prishtinës, e kishte ngritur pikërisht shoqëria civile.

Në një komunikatë për media para dy ditësh, ata kishin kërkuar që politika t’i mbajë larg duart nga UP-ja.

“Kjo nuk është hera e parë që partia në pushtet përdor metodën e ndërrimit të rregullativës me qëllim të punësimeve dhe avancimeve të njerëzve të saj të afërt në institucione të arsimit. Rikujtojmë se para pak muajsh me iniciativë të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, me shmangie nga rregullorja e Kuvendit dhe me procedura të përshpejtuara, është amandamentuar Ligji për Zyrtarët Publikë, me ç’rast u është lejuar deputetëve që të vazhdojnë punën si pjesëtarë të stafit akademik në universitete”, thuhej në komunikatë.

“Së fundmi, pa u zgjidhur problemi i anëtarit të Këshillit Drejtues, i cili është denoncuar publikisht për plagjiaturë, anëtarët e Këshillit Drejtues, si nga radhët e Universitetit të Prishtinës, ashtu edhe ata të emëruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë inicuar shkarkimin e rektorit të UP-së prof. dr. Naser Sahiti, pa dhënë asnjë shpjegim për arsyet”, bëhej e ditur në reagim.

“Ndërkohë që jemi dëshmitarë se asnjë skandal nuk është raportuar që nga zgjedhja e prof. dr. Naser Sahitit në pozitën e rektorit. Përkundrazi, organizatat monitoruese të arsimit të lartë para pak kohësh kanë theksuar avancimin e transparencës në Universitetin e Prishtinës gjatë mandatit të tij. Po ashtu, organizatat monitoruese të UP-së kanë raportuar se në proceset e ndjeshme, si ato të avancimeve akademike, ka pasur meritokraci”, përfundonte komunikata.

Lajme të ngjashme