“Askush s’dëshiron të vdesë”: Ukrainasit poi kin nga juglindja, forcat ruse po avancojnë
Në javët e fundit, autobusët nuk po shkojnë më në fshatin Tavriiske, në juglindjen e Ukrainës, nga qyteti Zaporizhia, rreth 50 kilometra larg.
Kur lufta me Rusinë është afruar në terren, fshati po boshatiset ngadalë. Maryna Vyshnevska, 35 vjeçe, tha se ishte bërë shumë e rrezikshme që ajo dhe pesë fëmijët e saj – disa prej pak banorëve që kishin mbetur – të qëndronin edhe më tutje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Menduam se ata [rusët] do të dëboheshin dhe e tërë kjo do të ndalej, por kur morëm vesh se do të bëhej vetëm keq e më keq, ishte më mirë të largoheshim” – tha ajo.
Përderisa Rusia e Ukraina e nisën rundin e ri të bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga ShBA-ja të mërkurën, forcat ruse kanë avancuar ngadalë përpara në pjesë të ndryshme të vijës 1200-kilometërshe të frontit muajve të fundit.
Përderisa po i afrohen të ashtuquajturit “rrip i fortesës” në qytetet e rajonit lindor të Donetskut, trupat ruse po avancojnë edhe drejt Zaporizhias, kryeqytet i njërit prej katër rajoneve që Kremlini pretendon se i ka aneksuar edhe pse deri më tani ka arritur të pushtojë vetëm një pjesë të rajonit Zaporizhia.
Luftimet janë intensifikuar javëve të fundit në disa zona kyçe të frontit juglindor, ka thënë ushtria ukrainase, sidomos përreth qytezës Huliaipole – 40 kilometra në lindje të fshatit Tavriiske.
Në Tavriiske dhe në fshatrat e afërta, të cilat shtrihen në një pjesë të vijës së frontit të rrethuara nga forcat ruse nga tri anë, banorët i thanë agjencisë “Reuters” gjatë një vizite të realizuar rishtazi atje se kishin frikë për jetën e tyre për shkak të rrezikut të vazhdueshëm nga sulmet me dronë e bomba.