ASK-ja nga Zyra e Kryeministrit: Papunësia ishte rritur në fund të 2021-s
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e katërt për 2021. Sipas këtyre të dhënave, del që është rritur shkalla e papunësisë për dallim nga rezultatet e tremujorit të tretë 2021.
“Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore, në TM4 2021 shkalla e papunësisë ishte 19.0%”, thuhet në këtë publkim, derisa në publikimin parapark për TM3 2021, shkalla e papunësisë ishte 17.7%.
Sipas ASK-së, papunësia më e theksuar, është tek gratë me 24.1%, krahasuar me burrat, 17.0%. Derisa shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 34.6%.
Ndërkaq, fuqia joaktive është 60.8%, me fokus të veçantë te gratë me 77.9 %, krahasuar me burrat, 43.7%, që rezulton po ashtu një rritje nga publikimi paraprak, ku fuqia punëtore jo aktive që ishte 59.4%.
Kujtojmë se Qeveria Kurti mori vendim që ASK të funksionojë brenda Zyrës së Kryeministrit. Ky vendim u kritikua për arsye se mund të ketë manipulime me të dhëna.
Në anën tjetër, Qeveria Kurti vazhdimisht ka thënë se është rritur numri i të punësuarve, duke përmendur në vazhdimësi shifrën prej 25 mijë të punësuarëve. Por, kohët e fundit Qeveria megjithatë është heshtur.
