Arrestohet zyrtari i gjendjes civile në Prishtinë
Policia e Kosovës ka arrestuar një zyrtar të gjendjes civile në Prishtinë të martën, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “falsifikim i dokumentit”.
Sipas njoftimit policor, i dyshuari R.M. i lindur në vitin 1958, është ofiqar i Zyrës Lokale në Dardani.
“I dyshuari ka kryer veprat penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘falsifikim i dokumentit’. Veprat penale dyshohet se janë kryer kur i dyshuari ka regjistruar persona pa bërë verifikimin se a plotësohen kriteret për regjistrim, duke bërë që disa nga të regjistruarit të krijojnë identitet të dyfishtë (identitet të Kosovës dhe një shteti fqinj)”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit, të dyshuarit i janë sekuestruar një telefon celular, 60 fishekë të kalibrit 7.62 mm, një karikator i armës dhe dokumente të ndryshme. Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.