Arrestohet themeluesi i kompanisë së njohur për shkëmbimin e kriptovalutave, FTX
Sam Bankman-Fried, themelues i kompanisë së kolapsuar për shkëmbimin e kriptovalutave, FTX, është arrestuar në Bahamas, ka njoftuar prokurori i përgjithshëm i këtij vendi.
Ai pritet të dalë të martën para një gjykate në kryeqytetin e këtij shteti, Nassau, raporton televizioni BBC, përcjell Nacionale.
Policia tha se Bankman-Fried u arrestuar për “shkelje financiare” të ligjeve në Shtetet e Bashkuara dhe në Bahamas.
Muajin e kaluar, kompania FTX aplikoi për falimentim në ShBA, duke ua pamundësuar shumë përdoruesve tërheqjen e fondeve të tyre.
Sipas një dokumente të gjykatës, kompania FTX ua kishte borxh gati 3,1 miliardë dollarë huadhënësve të saj më të mëdhenj.
Nuk është e qartë se çfarë shume do t’u kthehet personave që kanë pasur fonde në fund të procedurave të falimentimit, edhe pse shumë ekspertë kanë paralajmëruar se ata mund të marrin vetëm një pjesë të vogël të shumës së depozituar.
Kompania FTX u mundësonte klientëve që të tregtojnë monedha të zakonshme në këmbim të kriptovalutave si Bitcoin-i.