Arrestohet në ShBA lideri i kartelit të drogës “Sinaloa”, Ismael Zambada - NACIONALE

Arrestohet në ShBA lideri i kartelit të drogës “Sinaloa”, Ismael Zambada

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Njëri nga liderët më të fuqishëm të drogës në botë, Ismael “El Mayo” Zambada, udhëheqës i kartelit meksikan të drogës, “Sinaloa”, është arrestuar nga agjentët federalë amerikanë në El Paso të Teksasit.

Zambada, 76 vjeç, e ka themeluar grupin kriminal bashkë me Joaquin “El Chapo” Guzman-in, i cili tash për tash ndodhet në një burg në ShBA, raporton televizioni BBC.

Në një deklaratë me shkrim që u publikua të enjten në mbrëmje, kryeprokurori i ShBA-së, Merrick Garland, tha se këta dy burra e udhëhiqnin “njërën prej organizatave më të dhunshme dhe më të fuqishme të trafikimit të drogës në botë”.

“El Mayo dhe Guzman Lopez-i i bashkohen një liste në rritje të udhëheqësve dhe bashkëpunëtorëve të kartelit “Sinaloa” që Departamenti i Drejtësisë po i mban përgjegjës në Shtete të Bashkuara” – tha kryeprokurori amerikan.

I arrestuar bashkë me Zambada-n të enjten ishte edhe i biri i Guzman-it, Joaquin Guzman Lopez, tha Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së.

Në shkurt, Zambada ishte akuzuar nga prokurorët amerikanë për konspiracion për prodhim dhe shpërndarje të Fentanilit, drogë më e fuqishme se heroina, që është fajësuar për krizën e shkaktuar nga substancat narkotike në ShBA.

Autoritetet amerikane më parë kanë theksuar se fentanili është shkaktari kryesor i vdekjes së amerikanëve të moshave 18 deri 45-vjeçare./Nacionale

Lajme të ngjashme