Arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-ja nga Serbia, Kurti: Dakaj po mbahet në paraburgim në mënyrë arbitrare
Kryeministri Albin Kurti ka dënuar veprimin e Serbisë për ndalimin dhe paraburgimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj.
Në adresimin e tij në mbledhjen e parë të Qeverisë për vitin 2024, ai ka thënë se Dakaj po mbahet në mënyrë arbitrare nga autoritetet serbe.
“Megjithatë, përkundër ndryshimeve pozitive e progresive, edhe ky vit po na e trashëgon një fqinj të vjetër që po përkeqësohet. Hasan e Xhavit Dakaj u ndaluan e u arrestuan në kufi me Serbinë, Hasan Dakaj edhe sot mbahet atje në mënyrë arbitrare”, ka thënë Kurti, duke shtuar se kjo nuk është hera e parë që autoritet serbe arrestojnë qytetarët e Kosovës.
“Kjo nuk është hera e parë, kjo është sjellje e qëllimshme e dashakeqe e Serbisë që bie ndesh me konventat ndërkombëtare. Serbia mban në paraburgim edhe Petrit Dulën e Nezir Mehmetajn, gjoja për krime lufte. Nezir Mehmetaj ka qëndruar për muaj të tërë pa aktakuzë. Petrit Dula vuan burgimin bazuar në vendimin e gjykatës përkundër që dëshmitari në rastin e tij ka mohuar që Dula është autor i veprës edhe kur është marrë në pyetje nga autoritetet në Podgoricë”, është shprehur kryeministri.
I pari i qeverisë ka bërë me dije se Kosova ka kërkuar ekstradimin e tyre, por nuk ka marrë përgjigje.
“Albulena Haxhiu ka kërkuar ekstradimin, përgjigje nuk kemi pranuar kurrë. Më 27 shkurt 2023 përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell, deklaroi që marrëveshja bazike Kosovë-Serbi ishte arritur. Kjo marrëveshje udhëzohet nga konvetat dhe parimet për të drejtat e njeriut dhe mos-diskriminimit. Qysh në fillim theksohet se palët duhet të zhvillojnë marrëdhënie fqinjësore të mira. Serbia e zgjedh të sulmojë Kosovën si me datë 24 shtator, e pastaj ta mbrojë nga burgimi kryesit e veprës në krye me Milan Radoiçiq. Serbia nuk është rrezik vetëm për qytetarët tanë, ajo së fundmi ka dëshmuar se paraqet rrezik edhe për qytetarët e saj, sidomos atyre që pranojnë se me kërkim falje ndërtojnë bazë për marrëdhënie paqësore. Kështu është rasti me Nikolla Sanduloviq”, ka thënë Kurti.