Armatimi në veri: Armë e fishekë u gjetën në një pusetë kanalizimi, të tjerat në një shtëpi të pabanuar - NACIONALE

Armatimi në veri: Armë e fishekë u gjetën në një pusetë kanalizimi, të tjerat në një shtëpi të pabanuar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ka dhënë detaje shtesë në lidhje me aksion e së premtes, ku u gjet një sasi e armatimit në pjesën veriore të vendit.

Policia ka konfirmuar se një pjesë e armatimit, është gjetur në një pusetë kanalizimi mbrapa një ndërtese në rrugën “Kollashini”.

“ARMËMBAJTJE PA LEJE – Rr. Kollashini, Mitrovicë Veri 14.06.2024-15:00. Nga njësia e hetimeve rajonale, mbrapa një ndërtese në një pusetë kanalizimi, ka gjetur dhe sekuestruar tri armë automatike AK-47, dy karikatorë me nga 30 fishekë të cal.7.62 mm, dy karikatorë të zbrazur, 11 fishekë të armës së gjatë, një këllëfë të pistoletës dhe një çantë ushtarake. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime” – thuhet në raport.

Pjesa tjetër, është gjetur në një shtëpi të pabanuar në rrugën “Çeta e Minatorëve”.

“Rr. Çeta e Minatorëve, Mitrovicë Veri 14.06.2024-16:30. Është raportuar se nga njësia e hetimeve, në një shtëpi të pa banuar, ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të madhe të armatimit të modeleve të ndryshme si dhe eksplozivit. Me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.” - thuhet në raport.

Përmes një konference për media, policia të premten konfirmoi se dyshohet që rasti të lidhet me dy të dyshuar për sulmin terrorist të Bajnskës më 24 shtator.

Lajme të ngjashme