Anulohet seanca për vrasjen e Oliver Ivanoviqit - NACIONALE

Anulohet seanca për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës së sotme ishte paraparë që të mbahej seanca e radhës në Gjykatën Themelore të Prishtinës për vrasjen e ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur gjykatësi Valon Kurtaj.

Gjykatësi Kurtaj njoftoi se arsyeja e anulimit të kësaj seance është bërë për shkak se nuk është arritur të sigurohen dëshmitarët, raporton “Betimi për Drejtësi”

Seanca e radhës për këtë çështje pritet të mbahet më 4 nëntor, ashtu siç kishte qenë e paraparë më herët.

Të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen se, në bashkëpunim edhe me të pandehurit që janë në arrati, Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, e kanë kryer vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Seanca fillestare ishte mbajtur me 11 shkurt të vitit 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, i kishte refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit i kishte miratuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t'u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

Më pas, me 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale e kishte përpiluar aktakuzën, ku thuhet se të pandehurit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht me datën 16 janar 2018, në qytetin e Mitrovicës, në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati, dhe me dy të pandehur të tjerë, që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, me hiearki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, në atë mënyrë që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëveprim ndërmjet vete, me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike, kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar, ka ardhur deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

Lajme të ngjashme