Anton Berisha komenton udhëtimin e Kurtit dhe Osmanit drejt SHBA-së: Mashtrues profesionistë
Anton Berisha nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka quajtur “mashtrues profesionistë” krerët e shtetit, Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, që do të udhëtojnë drejt ShBA-së për të marrë pjesë në një ceremoni.
Osmani e Kurti do ta shoqërojnë ministren e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në Washington.
Që të dy në komunikata të ndara nga Zyret respektive, kanë deklaruar se do të kenë edhe takime tjera në ShBA, përveç pjesëmarrjes në ceremoni.
Kjo ka irrituar aq shumë z. Berisha nga LDK-ja që përveç etiketës “mashtrues profesionistë” ka përmendur edhe “shpenzimet e qëndrimit të shumicës së kohës jashtë vendit” për kryeministrin e Kosovës.
Statusi i plotë:
Tash, cilës kategori të shqiptarëve u takon Albin Kurti, që erdhi në pushtet me predikimin:
“Unë nuk menoj që shqiptarët e dojnë amerikën, shqiptarët ma shumë e kanë ankthin mos po i braktisë Amerika...”
Mbase për hirë të kësaj dileme nuk shkon në Amerikë i gjithë kabineti qeveritar në ceremoninë e nënshkrimit, se çështja e shpenzimeve dhe qëndrimit të shumicës së kohës jashtë vendit është temë e tejkaluar e këtyre mashtruesve profesionistë.
