Ankesa e Listës Serbe, Bugaqku: Kushtetuesja mund të ndalë procesin e formimit të qeverisë së re
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka komentuar ankesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese.
Ai ka bërë me dije se kërkesa e këtij subjekti politik ndaj Kushtetueses për të vendosur masë të përkohshme mund të ndalë procesin e formimit të qeverisë së re.
Në intervistë për EO, ai ka thënë se këso rastesh gjykata vendos ex officio masë të përkohshme.
“Veç ka qenë e pritshme sepse është paralajmëruar javë më parë që ky subjekt parlamentar ka me parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, domosdo në këso rrethanash kur jemi në fazën e konstituimit të Kuvendit. Normalisht që edhe parashtrohet kërkesa që të vendoset masë e përkohshme që të mos ketë pasoja juridike në të ardhmen sa i përket veprimeve që mund të prodhojnë deputetët e Kuvendit, por gjithashtu edhe presidentja si dhe vetë mandatarit për formimin e qeverisë. A do të ketë masë të përkohshme, mbetet me pa nëse e vlerëson të nevojshme Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Zakonisht Gjykata në këto raste vendos ex officio, madje edhe sipas kërkesës së palëve, por edhe në mënyrë zyrtare vendos që të japë masë të përkohshme për të pezulluar efektet, që të themi, veprimet juridike të deputetëve dhe të Kuvendit në tërësi” ka deklaruar Bugaqku.