Ambasadori i Francës: Ne jemi në favor të liberalizimit të vizave
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka bërë me dije se shteti i tij është pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai ka treguar se tani janë duke u diskutuar vetëm disa çështje të nivelit teknik.
Sipas tij, në fund, vendimi për këtë proces do të jetë pozitiv.
“Në qershor të këtij viti, presidenti Emmanuel Macron i ka thënë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se ne jemi në favor të liberalizimit të vizave me disa masa përcjellëse që duhet të realizohen. Diskutimet teknike për liberalizimin e vizave po vazhdojnë dhe po presim që të ketë një vendim pozitiv, të favorshëm”, ka deklaruar Guerot, raporton Radio Evropa e Lirë.
Diplomati francez këto komente Guerot i ka bërë pas një ceremonie të organizuar bashkërisht në mes të Ambasadës së Gjermanisë dhe Ambasadës së Francës në përkujtim të armëpushimit të 11 nëntorit 1918, veprim ky që i dha fund Luftës së Parë Botërore.