Ambasadori Hovenier: Asociacioni duhet të bëhet në mënyrë të tillë që respekton Kushtetutën e Kosovës
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në një intervistë në ATV, lidhur me mundësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë se qeveria e Kosovës duhet të përqendrohet më shumë në këtë drejtim.
Hovenier tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është zotim i bërë në marrëveshjen e Brukselit, dhe si i tillë duhet të zbatohet duke respektuar Kushtetutën e Kosovës
“Kjo është ndër fushat në të cilat e kemi nxitur qeverinë e Kosovës që të përqendrohet më shumë ose ndoshta ta them në mënyrë tjetër: është ndër ato zotimet e bëra që ne besojmë se duhet të zbatohet. Dëshiroj të ndalem pak te Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Është zotim i bërë në marrëveshjen e Brukselit, madje edhe më i hershëm se kjo, por u bë zotim me marrëveshjen e Brukselit. Ne besojmë se ky zotim duhet të zbatohet. Por, ne kemi qenë shumë të qartë se janë disa dispozita në bazë të të cilave duhet të zbatohet. Më e rëndësishmja, e mendoj se këtë e ka thënë publikisht kolegu im, zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit, Eskobar, siç e kam thënë edhe unë dhe ky nuk është ndryshim në politika, por Asociacioni duhet të bëhet në mënyrë të tillë që respekton Kushtetutën e Kosovës; duhet të bëhet në atë mënyrë që nuk ndikon negativisht në rendin kushtetues të funksionimit të qeverisë dhe ne besojmë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese mundëson kornizë të duhur si të ecet përpara me zbatimin e këtij zotimi. Ka shumë mënyra për krijimin e këtij entiteti, për të parë realizimin e këtij zotimi, që janë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Këtë e duam dhe këtë e kemi inkurajuar.”- tha Hovenier në emisionin “Context” në ATV.