Ambasadori britanik Jonathan Hargreaves viziton OVL-UÇK-në
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Sipas njoftimit të OVL-UÇK-së, Hargreaves është pritur nga kryetari i organizatës, Hysni Gucati, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Në takim është diskutuar për çështjet që preokupojnë veteranët e UÇK-së, si dhe për zhvillimet aktuale që lidhen me ta.
Përfaqësuesit e OVL-UÇK-së kanë theksuar gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke vlerësuar mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm britanik ndaj Kosovës.
“Sot, kryetari z. Hysni Gucati, së bashku me bashkëpunëtorë, priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, z. Jonathan Hargreaves. Gjatë takimit u diskutua për çështjet dhe preokupimet kryesore të veteranëve të UÇK-së, si dhe për zhvillimet aktuale që lidhen me ta. Në këtë takim theksuam rëndësinë e miqësisë së qëndrueshme dhe partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke vlerësuar lart mbështetjen dhe kontributin e saj të vazhdueshëm për vendin tonë. Takime të tilla janë të rëndësishme për të përcjellë drejtpërdrejt zërin e veteranëve tanë te miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës”, është thënë në njoftimin e OVL-UÇK-së.