Aliu i PDK-së: Si kryetar i Ferizajit, nuk jam opozitar por partner i Kurtit - NACIONALE

Aliu i PDK-së: Si kryetar i Ferizajit, nuk jam opozitar por partner i Kurtit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, dhe njëherit kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka komentuar takimin që kryetarët e komunave e patën sot me kryeministrin Kurti.

Në një intervistë për Frontal T7, Aliu tha se Kurti vetëm njëherë e ka vizituar komunën e Ferizajit si kryeministër.

“Kryeministri ka pasur një vizitë në Ferizaj vetëm gjatë Qeverisë Kurti 1”, tha Aliu.

Tutje, ai ka thënë se kryeministri ka pasur pak edhe në komunat tjera.

“Duam që ai të vijë dhe ta zhvillojmë një diskutim cilësor”, tha ai. “Duhet të bashkëpunojmë në interes të qytetarëve”, shtoi ai.

I pari i Ferizajit tregoi se çfarë porosie i përcollën shefit të Qeverisë gjatë takimit të tyre.

“Ne ia kemi thënë që s’kemi qenë opozitë e asnjë qeverie sepse nuk na takon të jemi opozitë e askujt. Ne jemi kërkues, sepse kemi shumë projekte që dëshirojmë t’i zhvillojmë”, tha Aliu.

“Komunat e Republikës së Kosovës kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithmonë partnere të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha kryetari i Ferizajt

Lajme të ngjashme