Albright: Marrëveshja e MCC-së me Kosovën do të sjellë dobi për shumë njerëz
Alice Albright, kryeshefja e MCC-së, është duke mbajtur fjalim në një prej sallave të Kongresit Amerikan, ku pas pak pritet të nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe MCC-së.
Albright në fjalimin e saj ka falënderuar ekipin për të cilin ka thënë se e ka bërë një punë të mrekullueshme.
“Ekipa ime ka bërë shumë punë, faleminderit shumë që jeni sot këtu me neve në këtë sallë të bukur. Disa nga ne s’kanë qenë kurrë në këtë dhomë, për këtë arsye është nder të jemi këtu. ... SHBA ka lidhje të thellë me Kosovën. Shumë kanë punuar për këtë marrëveshje, dua të falënderoj ekipin. Që nga viti 2004, MCC ka punuar me shumë vende, duke investuar miliarda dollarë për shumë programe e shtete”, ka thënë ajo.
Albright tutje ka thënë se marrëveshjet e MCC-së sjellin dobi për miliona njerëz, derisa ka thënë se qytetarët e Kosovës po përballen me probleme me energjinë.
“Këto investime pritet të sjellin dobi, për miliona njerëz. Sot Kosova dhe MCC nënshkruajnë kompaktin prej 263 milionë dollarësh. 4 nga 10 shtëpi në Kosovë, aktualisht janë duke u përballur me një formë të problemeve me energjinë”, tha ajo.