Albin Kurti: Nëntori i Flamurit dhe Forcës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se muaji nëntor është muaji i Falmurit dhe i Forcës.
Kryeministri Kurti në një shkrim në Facebook, ka shkruar se sot ishte në Vlorë për nderë të 110-vjetorit të Pavarëisë së Shqipërisë.
“28 Nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tonë.”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.
Ai ka folur edhe për Ditën e Forcës që është mbajtur të dielën në Prishtinë, ku Kurti përmendi ndarjen buxhetore prej 123 milionë eurove për FSK-në.
Shkrimi i plotë i tij:
Nëntori i Flamurit dhe Forcës
Sot, në Vlorë, në 110-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kujtuam historinë, përkujtuam sakrificën dhe nderuam lavdinë e atyre që besuan sepse ëndërruan, punuan sepse besuan. Çdo vit, 28 Nëntori na bën bashkë. 28 Nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tonë. E ne duhet të jemi më shpesh bashkë. Të punojmë bashkë. Të rrugëtojmë bashkë. Sepse duam. Sepse duhet.
Ndërkaq dje, ndërkohë që në Tiranë po mbanim mbledhjen e parë të përbashkët të Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, në Prishtinë, shënuam Ditën e Forcës. Për Qeverinë, ky ishte viti i ushtrisë. Me një ndarje buxhetore prej 123 milionë euro, që tejkalon çdo vit paraprak; e me 99% më tepër investime në blerje ushtarake përgjatë këtij viti, ushtria jonë po konsolidohet në aspektin profesional e operacional. Përkrahë aleatëve tanë po kontribuojmë në mbrojtjen e vlerave universale të lirisë, paqes dhe demokracisë. Forca e Sigurisë së Kosovës është forca e pashtershme e brezave të tërë të popullit tonë luftëtarë, të vendosur e të pathyeshëm.
Urime të gjithëve 28 Nëntori, Dita e Flamurit! Le t’i gëzohemi sukseseve të secilit shqiptar. Le t’i bëhemi krah secilit shqiptar.
