Alarmon farmacistja kosovare: Mos e blini këtë bar për humbje peshe
Një fenomen shqetësues po raportohet kohëve të fundit në Kosovë. Një ilaç i quajtur “Ozampic Fix Doze”, që zakonisht aplikohet për trajtimin e diabetit, kohëve të fundit po raportohet se po përdoret edhe për humbje peshe.
E kjo gjë ka alarmuar edhe farmacistët kosovarë.
Farmacistja Laureta Berisha Kosumi përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se “është absurde kur ky bar jipet nga endokrinologët për humbje peshe, madje tek personat që kanë probleme me gjëndrën tiroide, tek të cilët kontraindikohet total”, shkruan ajo.
Berisha-Kosumi ka thënë se me aplikimin e këtij bari tek pacientët që s’kanë probleme të diabetit po rrezikohet jeta e tyre.
“A duhet gjithmonë të rrezikohet shëndeti i qytetarëve tanë nga kompanitë e barnave, barnatoret dhe mjekët që e përshkruajnë tek pacientët për humbje peshe! Kujdes, kujdes se çka fusni në organizmin tuaj, humbja e peshës bëhet me dietë të shëndetshme ushqimore, me aktivitet fizik dhe jo me barna, jo me produkte të rrezikshme të cilat nuk kanë testime përfundimtare për këtë efekt anësor. Mos bini pre e komercialitetit, ruajeni shëndetin para se të bëhet vonë”, apelon ajo.
E Koha.net dje ka raportuar se Ozempic, ilaçi i cili është miratuar për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe që është i rregulluar të shitet vetëm me përshkrim të mjekut, në Kosovë është duke u përdorur dhe duke u shitur edhe për ta mundësuar humbjen në peshë. Në disa prej barnatoreve më të frekuentuara të Prishtinës, të cilat i ka vizituar KOHA, kanë thënë se ky produkt shitet lehtësisht edhe pa recetë.
Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë në Kosovë, Merita Emini-Sadiku, ka pranuar se Ozempicu po keqpërdoret dhe se ka shumë kërkesa për të, porse ka shtuar që endokrinologët i kërkojnë fillimisht disa parametra për përdorimin e tij.
“Më e keqja është që po keqpërdoret, sepse njerëzit shkojnë dhe e marrin në farmaci pa pasur indikacione. Duan të humbin peshën, dhe faktikisht kjo nuk është në rregull. Po, ka kërkesa shumë, mirëpo ne si mjekë endokrinologë i kërkojmë disa parametra para se t’i përshkruajmë këto medikamente për ulje të peshës te obeziteti”, ka thënë ajo.