Alarm për fruthin në Kosovë: Mbi 50 raste të reja, 17 vetëm në Prishtinë-Hashani bën thirrje për vaksinim të fëmijëve - NACIONALE

Alarm për fruthin në Kosovë: Mbi 50 raste të reja, 17 vetëm në Prishtinë-Hashani bën thirrje për vaksinim të fëmijëve

11 orë më parë

nga NACIONALE

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë Valdet Hashani, në një intervistë për Ekonomia Online tha se rritja e rasteve lidhet drejtpërdrejt me rënien e përqindjes së vaksinimit të fëmijëve.

“Në nivel vendi është rritur numri, mbi 50 raste të fruthit që janë paraqitur si raste të reja, e vetëm Prishtina është me 17 raste të reja të fruthit, që është një shifër alarmante për ne dhe për institucionet shëndetësore në nivel vendi. Fatkeqësisht, ky trend i paraqitjes së fruthit në vendin tonë ishte që nga viti i kaluar, kur ishin rastet e para që u izoluan në Ferizaj, pastaj edhe në qytete të tjera. Ndërsa, pas atij, atyre paraqitjeve, prononcimet tona ishin të rritura, jo vetëm tona si QKMF e Prishtinës, por edhe në nivel vendi – Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë, qendrat e tjera të mjekësisë familjare, duke bërë thirrje që të bëhet vaksinimi i fëmijëve”, tha ai.

Hashani tha se gjatë vitit të kaluar niveli i vaksinimit kundër fruthit në Kosovë ishte 82%, ndërsa në Prishtinë vetëm 71%, duke krijuar terren për paraqitjen e rasteve të reja sivjet.

Ai u bëri thirrje prindërve dhe mediave që të kontribuojnë në rritjen e vetëdijes për rëndësinë e vaksinimit.

Lajme të ngjashme