Aktivistja e PSD-së pas deklaratave të Konjufcës për Asociacionin: Dorëzohuni
Aktivistja e Partisë Socialdemokrate, Teutë Rrusta, i ka reaguar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, pas deklaratave të këtij të fundit në lidhje me Asociacionin, për të cilin tha se duhet të gjenden forma të reja.
Rrusta përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se nuk ka forma të reja.
Tutje, ajo ka shkruar “dorëzohuni”.
“Z.Konjufca, nuk ka forma të reja. Asociacioni është rrezik për vendin në secilen formë. Dorëzohuni. Roli juaj prej amortizuesi të kritikave dhe fashitjes së dallimeve iu ka ardhur fundi.” – ka thënë ajo.
Ndërkohë, Konjufca në një deklaratë të dhënë të martën për “Ekonomia Online”, foli edhe për Asociacionin, duke kërkuar të gjendet një formë e re.
“Pra Kosova e merr një farë obligimi për marrëveshjet e deritashme që janë arritur në dialog, pra në këtë aspekt mund të thuhet implicit është referenca e Asociacionit. Por çështja është se këtë Asociacion e ka hedhur poshtë Kushtetuesja dhe tash çështja është të gjendet një formë e re e Asociacionit.” – ka thënë ai.
