Aktakuzë ndaj nëntë personave për mashtrim të shtetasve të huaj - NACIONALE

Aktakuzë ndaj nëntë personave për mashtrim të shtetasve të huaj

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: N.S., E.S., D.B., A.J., G.S., M.D., K.S., B.Q. dhe V.M., për veprën penale “Mashtrimi”. Ndaj N.S. është ngritur gjithashtu aktakuzë edhe për posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, në bashkëveprim dhe nga një periudhë e papërcaktuar deri në shkurt 2024, kanë mashtruar shtetas të vendeve të ndryshme evropiane, kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, duke përfituar kundërligjshëm mbi 2 milionë euro.

Ata dyshohet se janë paraqitur rrejshëm si kompani investimesh, duke bindur viktimat të investojnë në platformat “Option888” dhe “Krack”. Pasi kanë siguruar qasje në aplikacionet e viktimave, kanë manipuluar të dhënat për të paraqitur investime fiktive në rritje. Hetimet kanë treguar se mjetet e përfituara janë shpërndarë mes të gjithë të pandehurve.

Prokuroria Speciale ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe në mbrojtjen e rendit dhe ligjshmërisë.

Lajme të ngjashme