Aksioni në veri kundër lojërave të fatit, policia jep hollësi
Policia e Kosovës ka zhvilluar të enjten një aksion në komunën e Zubin Potokut kundër veprimtarive të paligjshme të lojërave të fatit, ku janë identifikuar tri lokacione me dyshime për organizim të bixhozit ilegal dhe skemave piramidale.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se gjatë aksionit janë intervistuar tre persona të dyshuar, ndërsa dy të tjerë, të cilët nuk janë hasur në vendngjarje, janë tashmë të njohur për policinë.
“Sot, më 15.01.2026, njësia e hetimeve e Stacionit Policor në Zubin Potok, pas informacioneve operative, ka realizuar bastisje në tri lokale ku dyshohej për veprimtari të kundërligjshme, konkretisht organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, ka deklaruar Elshani.
Sipas tij, në të tri lokacionet janë gjetur pajisje teknologjike që mundësonin zhvillimin e lojërave të fatit, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e tri rasteve penale për veprën “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, e sanksionuar me nenin 294 të Kodit Penal të Kosovës.