Aksidenti me tre të vdekur, IPK-ja rekomandon suspendimin e policit: Nuk përshtati shpejtësinë
Inspektorati i Policisë së Kosovës ka reaguar në lidhje me aksidentin në magjistralën Mitrovicë – Pejë, ku mbeten tre të vdekur.
IPK-ja ka shkruar se sipas veprimeve të para hetimore dyshohet se aksidenti u shkaktua për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së automjetit.
“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile” – ka shkruar IPK-ja.
Tutje, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e policit.
“Si pjesë e procedurave administrative dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent” – ka shkruar IPK-ja.