Aksident zinxhiror pas stuhisë së pluhurit në ShBA, të paktën gjashtë të vdekur
Së paku gjashtë persona vdiqën, pasi një stuhi pluhuri, e nxitur nga era e fuqishme, shkaktoi një aksident zinxhiror në një autostradë në Montana të Shteteve të Bashkuara, thanë autoritetet.
Të paktën 20 automjete u përfshinë në aksidentin që ndodhi të premten në mbrëmje. Zyrtari policor, Jay Nelson, tha se autoritetet besojnë që shkaktar i aksidentit ishte moti.
“Duket se kishte erë të fuqishme, që shkaktoi stuhi pluhuri me dukshmëri zero”, tha ai.
Patrulla e autostradave nuk publikoi shifër të personave të lënduar, por zyrtari policor tha se u desh të thirreshin autoambulanca shtesë nga Billings për të ndihmuar në vendin e ngjarjes.