AKK: Ministria e Financave të transferojë mjetet financiare të komunave nga të hyrat vetanake
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka bërë të ditur se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ende nuk ua ka bartur mjetet financiare komunave nga rritja e të hyrave vetanake të vitit 2023.
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka bërë thirrje që sa më shpejtë të bëjë bartjen e këtyre mjeteve.
“Ministria e Financave i’u bllokon Komunave mjetet nga të hyrat vetjake Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) kërkon nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) që sa më shpejt të bëj bartjen e mjeteve financiare të Komunave nga rritja e të hyrave vetanake nga viti 2023”, thuhet në reagim.
“Komunat që kanë tejkaluar planifikimin e të hyrave vetanake për vitin 2023 kanë aprovuar këtë rritje buxhetore në kuvendet e komunave përkatëse mirëpo, MFPT ende nuk i ka bartur këto të hyra dhe i zvarrit pa asnjë arsye. A thua përse ndodhë një veprim i tillë ndaj komunave? Duhet ditur se MFPT e ka obligim ligjor që këto mjete t’i bartë te komunat sepse janë të hyra vetjake të komunave”, thuhet më tej.
Në reagimin e AKK-së thuhet më tej se përmes këtij veprimi, “niveli qendror i fut në rreziqe komunat që të mos mund të procedojnë në publikimin e projekteve për të cilat janë destinuar.”