Ahmetxhekaj: Mediumet publike të fokusohen në misionin e tyre, qe të jenë shërbim për të gjithë qytetarët
Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se transmetuesit publikë duhet të evitojnë nxitjen e qëllimshme të tensioneve.
Këtë deklaratë Ahmetxhekaj e bëri në Beograd, gjatë pjesëmarrjes në konferencën “Mediat e reja të guximshme”, të organizuar nga Akademia Deutsche Welle dhe misioni i OSBE-së në Serbi.
Aty ai tha se politika mund të jetë dominuese me aktivitete, por mediumet publike duhet të fokusohen në misionin e tyre, qe të jenë shërbim për të gjithë qytetarët dhe moshat.
“Mbrëmë gjatë rrugës duke ardhur në Beograd, ishim duke testuar sinjalin e Radio Kosovës, meqë kemi bërë investime në përmirësimin e sinjalit. Në kanalin e dytë dëgjova lajme në gjuhën serbe, e që ishin informacione nga fusha të ndryshme. Ndërkaq sot në mëngjes, fillova të shikoj se çfarë kanë kanalet televizive këtu. Ishte shumë e çuditshme, sepse në këtë ditë të shtunë, disa kanale kishin programe politike që kishin edhe mesazhe luftënxitëse në njëfarë forme. Në gjykimin tim, në mediumet publike është e rëndësishme që kjo qasje te mos ekzistojë, sepse nuk e ndihmojmë publikun, as shtetet tona të cilat i përfaqësojmë”, ka thënë Ahmetxhekaj, rapporton RTK.
Si sukses të RTK-së, Ahmetxhekaj e ka cilësuar programet në gjuhën e komuniteteve, duke theksuar se një diversitet i tillë është reflektim i vetë Kosovës.