Ahmeti: Marrëveshja e Ohrit është vula e paqes dhe rrugës euro-atlantike
Lideri i BD-së, Ali Ahmeti, ka vlerësuar se Marrëveshja e Ohrit është vula e paqes, zhvillimit dhe rrugës euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.
Në 210vjetorin e nënshkrimet të kësaj marrëveshje, Ahmeti ka deklarua se kjo marrëveshje e orientoi vendin në binarët e duhur të zhvillimit demokratik mbi parimet e demokracisë konsensuale.
Teksa ka uruar qytetarët për këtë përvjetor, ai ka thënë se Maqedonia duhet të vazhdojë të njëjtën frymë progresive në rrugëtimin e të së ardhmes.
Postimi i plotë i Ahmetit:
Të nderuar qytetarë të vendit,
Në çastet vendimtare kur vendi kishte nevojë të dalë nga humnera e urrejtjes dhe e paragjykimit, ndërmorrëm hapin e duhur për të kërkuar me ngulm atë që na takonte në vendlindjen tonë, lirinë dhe barazinë në të gjitha sferat e jetës shoqërore.
21 vjet më parë kjo kauzë e jonë e pastër dhe e sinqertë u formalizua me nënshkrimin e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit që orientoi vendin në binarët e duhur të zhvillimit demokratik mbi parimet e demokracisë konsensuale dhe kohezionit social duke etabluar respektin e ndërsjelltë për vlerat identitare të të gjithë popujve.
Tejkaluam çdo skepticizëm, çdo tentativë dezorientimi duke u përkujdesur për implementimin e mirëfilltë të këtij akti juridik me përkrahjen e plotë edhe të faktorit ndërkombëtar dhe ja ku jemi sot, në paqe me njëri – tjetrin, të integruar në NATO, me konteste të zgjidhura me fqinjët dhe me negociata të filluara të integrimit me Bashkimin Europian.
Marrëveshja e Ohrit është vula e paqes, zhvillimit dhe rrugës euro-atlantike të vendit, përvjetori i të cilit duhet festuar me dinjitet dhe reflektim për të vazhduar në të njëjtën frymë progresive rrugëtimin tonë të së ardhmes.
Urime të gjithë përvjetorin e 21-të të Marrëveshjes së Ohrit!