AGK-ja reagon: Deklaratë e papërgjegjshme dhe e rrezikshme e Sami Kurteshit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar për sulmin e zyrtarit të VV-së, Sami Kurteshi ndaj mediave për rastin Astrit Dehari.
AGK-ka thënë se deklarimet e Sami Kurteshit janë të papërgjegjshme dhe të rrezikshme.
“Kjo, është një deklaratë e papërgjegjshme dhe e rrezikshme e Kurteshit, që akuzon mediet në lidhje me rrethanat e vdekjes në burg të Deharit. Deklarata të tilla vënë në rrezik sigurinë e gazetarëve të këtyre dy medieve, dhe janë të papranueshme.” – thuhet në reagimin e tyre.
Reagimi i plotë:
Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, ka sulmuar mediet gjatë një prononcimi sot për rastin e aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari.
Kurteshi ka akuzuar Klan Kosovën, Expressin dhe RTK-në: “për rol negative dhe dezinformues, sidomos me nxjerrjen e xhirimeve të paautorizuara. Në atë kohë RTK-ja mbulonte gjithë propagandën kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe arsyetonte arrestimet”.
Kjo, është një deklaratë e papërgjegjshme dhe e rrezikshme e Kurteshit, që akuzon mediet në lidhje me rrethanat e vdekjes në burg të Deharit.
Deklarata të tilla vënë në rrezik sigurinë e gazetarëve të këtyre dy medieve, dhe janë të papranueshme.
Rasti Dehari ishte dhe mbetet me interes të lartë për publikun, dhe në atë kohë specifikat e atij rasti ishin ndarë në detaje nga vetë Lëvizja Vetëvendosje.
Xhirimet e publikuara nga mediat kanë zbuluar rrethanat e ngjarjes në qendrën e paraburgimit ku pritej siguri e lartë, dhe ka kontribuar në informimin e publikut.