AGK i reagon Sveçlës: Postimi i tij pjesë e tentimit të vazhduheshëm të pushtetit për të frikësuar mediet
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pas postimit kërcënues e nxitës të Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla i cili ndër të tjera etiketoi gazetarët, Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi si organizator të protestës së sotme. Përveq kësaj Sveçla ka thënë se kushdo që proteston e i organizon këto protesta, është pjesë e luftës hibride të Serbisë në Kosovë.
Për AGK-në, këto deklarata janë vazhdim i tentimit të pushtetit për të frikësuar mediat.
E plotë:
Gjuhë e rrezikshme e Ministrit Sveçla ndaj gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka parë me shqetësim një postim të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në të cilin ai përdorë gjuhë të rrezikshme dhe të papranueshme në drejtim të medieve dhe gazetarëve.
Ministri Sveçla insinuon se audio-incizimet e Shefes së Grupit Parlamentar të partisë së tij, Mimoza Kusari Lila me ish-deputetin e Srpskas, Simiq u janë dhënë medieve kosovare nga presidenti serb, Vuçiq.
Ministri gjithashtu akuzon gazetarët Berat Buzhala dhe Vehbi Kajtazi për organizimin e protestës së veteranëve.
Gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediet.