Agjencia ushqimore e OKB-së i pauzon dërgesat në veri të Gazës
Programi Botëror i Ushqimit tha të martën se do t’i pauzojë dërgesat e ndihmave ushqimore në Gazën veriore derisa kushtet në enklavën palestineze ta lejojnë shpërndarjen e sigurt.
“Vendimi për t’i pauzuar dërgesat në veri të Rripit të Gazës nuk është marrë lehtë, pasi dimë se ai nënkupton që gjendja do të përkeqësohet më tej dhe më shumë njerëz rrezikojnë që të vdesin nga uria” – thuhet në deklaratën e kësaj agjencie të OKB-së, që selinë e ka në Romë, raporton agjencia “Reuters”.
Tri agjenci të OKB-së – Programi Botëror i Ushqimit, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe agjencia për fëmijë, UNICEF – thanë të hënën se ushqimi dhe uji i sigurt ishin “jashtëzakonisht të pakët dhe sëmundjet të përhapura... duke rezultuar në shtim të kequshqyerjes akute” në Gaza, më shumë se katër muaj pas fillimit të luftës Izrael – Hamas.
Kriza ushqimore është posaçërisht serioze në veri, ku në janar raportohet se një në gjashtë fëmijë nën moshën 2-vjeçare është i kequshqyer në mënyrë akute dhe ku “situata me gjasë është edhe më e rëndë sot”, thanë agjencitë.
Programi Botëror i Ushqimit tha se i kishte rinisur dërgesat e ushqimit në veri të dielën, pasi ato ishin pezulluar për tri javë për shkak të një sulmi ndaj një kamioni të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRËA, dhe “mungesës së një sistemi funksional humanitar të njoftimit”.