Agjencia për Informim dhe Privatësi bëhet anëtare vëzhguese në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave
Agjencia për Informim dhe Privatësi(AIP) ka fituar statusin e anëtarit vëzhgues në Aktivitetet e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB).
Kjo është bërë e mundur pas kërkesës nga komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku, dhe lobimit me homologët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Në njoftimin për media të AIP-së është thënë se arritja e një statusi të tillë është një sukses i jashtëzakonshëm për këtë agjenci dhe për Kosovën.
“Anëtarësimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) si vëzhguese në aktivitetet e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) ofron qasje të drejtpërdrejtë në informacionet dhe standardet më të avancuara të mbrojtjes së të dhënave, duke mundësuar kështu harmonizimin e politikave të AIP-së me standardet evropiane. Ky status përmirëson kapacitetet vendore për mbrojtjen e të dhënave personale dhe forcon bashkëpunimin ndërkombëtar, duke krijuar mundësi për partneritete të reja me autoritetet kombëtare të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Përmes pjesëmarrjes në aktivitetet e EDPB-së, AIP do të ketë mundësi të kontribuojë në diskutimet globale mbi politikën e mbrojtjes së privatësisë dhe zhvillimin e udhëzimeve të reja, duke ndikuar kështu në hartimin e politikave që do të ndihmojnë edhe në forcimin e besimit për sigurinë e të dhënave karshi investitorëve të huaj”, është thënë në njoftimin për media, duke përmendur edhe benifitet tjera.
“Njëkohësisht, pjesëmarrja e vazhdueshme në aktivitetet e EDPB-së do të mundësojë që AIP të monitorojë zhvillimet ligjore dhe teknologjike më të fundit, duke garantuar reagimin e duhur ndaj sfidave të reja në fushën e mbrojtjes së të dhënave. Statusi i vëzhguesit pasqyron njohjen ndërkombëtare të përkushtimit dhe angazhimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi në zbatimin e standardeve me të larta për mbrojtjen e të dhënave personale, duke kontribuar kështu në sigurinë dhe privatësinë e qytetarëve të saj, si dhe vendos Kosovën më afër institucioneve dhe praktikave evropiane”, është thënë në njoftim.