Afganistani dhe Pakistani arrijnë armëpushim të përkohshëm pas përleshjeve vdekjeprurëse
Qeveria afgane e talibanëve dhe Pakistani thonë se janë pajtuar për një armëpushim të përkohshëm pas përleshjeve të reja kufitare dhe pas raportimeve për sulme ajrore të forcave pakistaneze në Kabul dhe Kandahar.
Të dyja palët pretenduan se pala tjetër kishte kërkuar armëpushim 48-orësh. Pakistani tha se armëpushimi hyri në fuqi të mërkurën në orën 13:00, raporton televizioni BBC.
Më herët, një zëdhënës i talibanëve tha se 12 civilë ishin vrarë dhe mbi 100 të tjerë ishin plagosur nga të shtënat pakistaneze. Të dyja palët kanë pretenduar se ana tjetër ka pësuar shumë në njerëz. Asnjëri grup i të vrarëve nuk mund të konfirmohej në mënyrë të pavarur.
Dhuna është shtuar nga java e kaluar, kur në Afganistan ndodhën disa shpërthime për të cilat Kabuli e fajësoi Pakistanin. Talibanët i mohojnë akuzat se po strehojnë militantë që e kanë në shënjestër Pakistanin.
E mërkura nisi me akuza të ndërsjella për nisjen e përleshjeve vdekjeprurëse. Ushtria pakistaneze tha se forcat e saj kishin vrarë “15 – 20 talibanë afganë” dhe kishin plagosur shumë të tjerë në distriktin kufitar Spin Boldak. Zëdhënësi i qeverisë talibane tha se shumë ushtarë pakistanezë ishin vrarë.
Më vonë gjatë ditës, shpërthimet në Kabul dhe Kandahar i rritën tensionet. Mediat shtetërore pakistaneze raportuan se bëhej fjalë për sulme ajrore të forcave pakistaneze ndaj caqeve në provincën e Kandaharit dhe në Kabul.