Administrata e Trumpit e nis publikimin e dosjeve të shumëpritura të Epsteinit
Departmamenti i Drejtësisë i ShBA-së e ka filluar publikimin e dosjeve të shumëpritura nga hetimi për rastin e të dënuarit tashmë të ndjerë për shkelje seksuale, Jeffrey Epstein. Ky rast ka shkaktuar debat të madh politik matanë oqeanit.
Dosjet pritet të hedhin dritë mbi lidhjet e Epsteinit me udhëheqës biznesesh të profilit të lartë, figura të famshme dhe politikanë, përfshirë presidentin Donald Trump, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
Trumpi, dikur mik i ngushtë i Epsteinit, me muaj kishte luftuar që ta parandalonte publikkimin e dosjeve që lidhen me hetimin ndaj Epsteinit, i cili vdiq në një burg në Nju-Jork më 2019, kur po e priste gjykimin për akuzat për trafikim me qëllim të shfrytëzimit seksual.
Presidenti amerikan në fund u dorëzua para presionit nga Kongresi, përfshirë anëtarët e partisë së tij, dhe muajin e kaluar nënshkroi një ligj që e bëri të detyrueshëm publikimin e materialeve.
Televizioni BBC raporton se ende nuk është e qartë nëse publikimi që nisi të premten do të jetë lëshim i plotë apo i pjesshëm i dojseve.
Shumë prej të mbijetuarave të Epsteinit me muaj i kishin bërë thirrje Departamentit të Drejtësisë që t’i publikonte dosjet. Ato madje kishin kërkuar nga publiku që t’u bënin thirrje Kongresistëve që t’i jepnin zë kësaj kërkese.