Abozoviç thotë se është arritur marrëveshja për qeverisjen e ardhshme në Mal të Zi
Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, pa dhënë hollësira, konfirmoi sot nga Washingtoni se është arritur në parim një marrëveshje që t’i paraqitet presidentit emri i Miodrag Lekicit, i partisë Demos për të formuar qeverinë e re.
“Kemi arritur në një marrëveshje le ta quajmë të deklaruar që kemi shumicën për qeverinë e re”, tha ai duke folur në Këshillin e Atlantikut në Ëashington ku ndodhet për vizitë.
Një këshilltar i zotit Abazoviç sqaroi për Zërin e Amerikës se emri i kandidatit për kryeministër të ardhshëm u paraqit pasi afati ishte fundi i ditës së sotme, por jo gjithçka është zgjidhur ende, kështu që asgjë nuk është ende përfundimtare. Partia Ura sipas tij, mbështeti dhënien e mandatit zotit Lekiç, por nuk e nënshkroi sepse kërkon të gjithë marrëveshjen dhe më pas të nënshkruajë.
Shumica parlamentare e dalë nga zgjedhjet e vitit 2020 vlerësoi sot në një konferencë me gazetarë se është arritur marrëveshja për mandatarin e ri të qeverisë së Malit të Zi.
Një nga përfaqësuesit e koalicionit të Frontit Demokratik, Andrija Mandiç , njoftoi se partitë fituese të zgjedhjeve të vitit 2020 kanë rënë dakord që kryetari i Demos, ish-diplomati Lekiç, të ngarkohen me formimin e qeverisë së re.
Mandiç, pas një takimi ku morën pjesë përfaqësues të Frontit Demokratik, Demokratët, URA dhe partitë tjera më të vogla që janë në koalicion me ta, njoftoi se shumica e vjetër parlamentare ranë dakord për formimin e një qeverie të re.
Mandiç tha gjithashtu se qeveria e ardhshme do të krijohet në bazë të barazisë, sipas së cilës gjysma e anëtarëve të saj do të jenë nga radhët e URA, gjysma tjetër do të jenë ministra nga partitë e tjera dhe kandidati për mandat, Miodrag Lekiç, do të ketë një “votë të artë”.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e shohin Frontin Demokratik si partner sepse ai nuk mbështet vlerat evropiane. Kjo parti u përmend gjithashtu në raportin e fundit të SHBA-së për financimin nga Rusia të partive politike të huaja.
Abazoviç i pyetur për shqetësimet perëndimore rreth forcave pro-ruse, siguroi Uashingtonin se nuk ekziston asnjë mundësi për të bere diçka të gabuar në politikën e jashtme, por nga ana tjetër Fronti Demokratik është i përfshirë në bisedimet për qeverinë e ardhshme.
Qeveria e Dritan Abazoviçit, u rrëzua më 20 gusht, pasi parlamenti votoi në favor të mocionit të mosbesimit ndaj saj, që u ndërmor pasi kabineti votoi pro-marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe.