Abdullahu i reagon Osmanit: “Pse e shfrytëzuat konferencën me Ilir Metën për ta sulmuar Hashim Thaçin?”
Zëdhënësi i Paritsë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, ka reaguar pas konferencës për shtyp të mbajtur në mes Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, konkretisht deklaratës së Osmanit e cila tha se “nuk harrojmë se kush bëri më së shumti presion që Gjykata Speciale të votohet”.
Abdullahu e ka quajtur të pa aftë Osmanin që ta mbrojë UÇK-në.
“E kam thënë vite më parë se Ju Presidente, keni qenë një mini Vetëvendosje. E ridëshmuat edhe sot në konferencën për shtyp se keni mbetur e tillë. A nuk patët asgjë më të rëndësishme sot për çka të flisni por për Gjykatën Speciale. Gjetët kohë mu sot në Konferencën mikpritëse të Kryetarit të Shqipërisë z. Meta ta akuzoni ish Presidentin Thaçi. Pse? Pse nuk ju largohet kjo armiqësi së paku tani kur ai dhe të tjerët me te, janë në burg. Pse dëshironi dhe si duket gjeni kënaqësi politike t’i akuzoni edhe më shumë e t’i rëndoni edhe më tepër atje ku janë.” Thuhet ndër të tjera në reagimin e tij.