Abdixhiku takim me bashkatdhetarët: Ta forcojmë lidhjen për të ardhmen - NACIONALE

Abdixhiku takim me bashkatdhetarët: Ta forcojmë lidhjen për të ardhmen

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës organizoi sot një takim pritës për mërgimtarët që kanë ardhur për pushime në Kosovë. Të pranishëm ishin kryetari i LDK-së, deputetë, anëtarë të kryesisë, kryetarë komunash e struktura të tjera partiake, të cilët pritën në bashkëbisedim mërgimtarët.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku uroi mirëseardhje të gjithë bashkatdhetarëve.

Më lejoni t’ju uroj mirëseardhje në shtëpinë tuaj politike, në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe organizimin e sotëm, të parë, por jo të vetëm, të takimeve verore në selinë e LDK-së me mërgatën tonë e bashkatdhetarët tanë”, tha ai, transmeton Kosova Press.

Abdixhiku tha se duhet të organizohemi sa më mirë që Lidhja për të Ardhmen të jetë shtyllë përmbajtjesore domosdo dhe “Lidhjen për Mërgatën” - pasurinë më të madhe shqiptare.

Dhe ne sot kemi nevojë të takohemi, bashkëbisedojmë e organizohemi sa më mirë e sa më fort, që në “Lidhjen tonë për të Ardhmen”, ta kemi si shtyllë përmbajtjesore domosdo dhe “Lidhjen për Mërgatën” - pasurinë më të madhe shqiptare”, tha ai.

Kreu i LDK-së shtoi se për tri dekada të shkuara i dhuruan atdheut momentet më të lavdishme historike, po ashtu shprehet jashtëzakonisht mirënjohës ndaj mërgatës.

“Përgjatë tri dekadave të shkuara, ne dhe ju bashkatdhetarë, i dhamë atdheut momentet më të lavdishme historike. Nga përpjekja kolektive për liri, pavarësi e demokraci, e deri te rezistenca paqësore dhe e armatosur që kulmoj me vetë lirinë; nga shpallja e pavarësisë së Republikës sonë, e deri te ndërkombëtarizimi i shtetësisë Kosovës. Në të gjitha etapat historike, mërgata jonë ishte kontribuuese thelbësore e zhvillimeve në Kosovë. Ju shkritë të gjithë pasurinë, dhatë gjithë kapacitetin intelektual e profesional, siç dhe dhatë bijtë e bijat më të mira tuaja në thirrjet e orëve të rënda të vendit tonë. Edhe sot, 23 vite pas lirisë, e 14 vjet pas pavarësisë, mërgimtarët tanë vazhdojnë t’i japin Kosovës të gjithë përkushtimin e nevojshëm. Prezenca e juaj dhe familjeve tuaja në Kosovë, është dëshmi e qartë e këtij përkushtimi”, tha ai.

Në fund kryetari i LDK-së ngrehu një dolli për gjithë bashkatdhetarët.

Lajme të ngjashme