Abdixhiku përmend Rugovën, UÇK-në dhe Adem Jasharin: Kosova është e përhershme dhe e pavdekshme - NACIONALE

Abdixhiku përmend Rugovën, UÇK-në dhe Adem Jasharin: Kosova është e përhershme dhe e pavdekshme

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar qytetarët e Kosovës për Ditën e Pavarësisë.

Në seancën solemne, e cila po mbahet për nder të 17 shkurtit, ai ka thënë se në këtë ditë historike duhet të kujtohen dhe nderohen të gjithë ata që kanë dhënë kontribut gjatë historisë.

“Prandaj sot, në këtë ditë madhështore, ne kujtojmë me nderim e mirënjohje, lëvizjen më të madhe shqiptare në Kosovë, atë për liri, për pavarësi e për demokraci. Prandaj sot i falënderojmë të gjithë ata aktivistë e vullnetarë, që mirëmbajtën jetën tonë institucionale gjatë viteve të 90-ta dhe i dhanë shpirt e nxitje lëvizjes sonë”, është shprehur Abdixhiku.

Ai ka vlerësuar se Kosova është e përhershme dhe e pavdekshme.

“Rrugëtimi ynë si shtet krenar, me njerëz të jashtëzakonshëm e të ardhme të ndritshme do të vazhdojë. Sepse ky rrugëtim s’ka kthim mbrapa. Sepse Kosova, atdheu ynë, është i përhershëm. Sepse Republika është e përhershme dhe e pavdekshme”, deklaroi ai.

Para deputetëve, ai ka përmendur edhe kontributin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, UÇK-së dhe familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.

“Në mënyrë të veçantë, e nderojmë me vlerësim të epërm, prijësin e rrugës sonë, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Presidentin Historik të vendit tonë, Dr. Ibrahim Rugovën, vizioni i të cilit, i artikuluar me mençuritë pashoq, në fillim të viteve të 90-ta, u bë realitet në vitin 1999, kur bota u bashkua me ne, dhe në vitin 2008, kur përsëri ishte me ne, ditën që shpallën pavarësinë e vendit tonë, për të qëndruar përkrah nesh përgjatë rrugëtimit tonë të derisotshëm. Shprehim mirënjohjen tonë të thellë, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e Jasharajve”, ka thënë Abdixhiku.

Lajme të ngjashme