Abdixhiku lavdëron kryetarin e Lipjanit: Plot 4 çerdhe të reja për vetëm dy vjet
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka lavdëruar punën e kryetarit të Lipjanit, Imri Ahmeti, të cilin e ka vizituar sot.
Ai ka thënë se i pari i Lipjanit për dy vite në këtë mandat ka nderuar 4 çerdhe.
Në profilin e tij në “Facebook”, Abdixhiku ka shkruar se Ahmeti ka edhe shumë projekte tjera për qytetarët e kësaj komune.
“Një Palestër Sportive drejt përfundimit. Një shtëpi moderne e sportit për sportistët në Lipjan. Plot 4 çerdhe të reja për vetëm dy vjet. Po pra, 4 çerdhe për dy vjet! Shtëpi e dytë e 300 fëmijëve - pasurisë më të madhe kombëtare; në ecjen e tyre të parë me shtet. Projekte të tjera përplot në zhvillim. Nga parkingu i madh nëntokësorë tek parku i madh në qytet; nënkalimi qendror; vazhdimi i sheshit; e dy salla sportive shkollore. Vizitova Kryetarin Imri Ahmeti sot në Lipjan. Atë, gjithë ekipin e tij, e urova për punën e madhe dhe angazhimin e jashtëzakonshëm kapital. Shembull se si puna e përkushtimi për të ardhmen bëjnë këtë vend. Model i qeverisjes zhvillimore e të djathtë”, ka shkruar Abdixhiku.