Abdixhiku kërkon dorëheqjen e Qeverisë Kurti: Të bashkuarit le të caktojnë datën, ne do ta caktojmë festën
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar përsëri se LDK-ja kërkon dorëheqjen e Qeverisë Kurti, pastaj shkuarjen në zgjedhje, duke kundërshtur shpërndarjen e Kuvendit.
Abdixhiku këto komente i bëri në Facebook pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.
Ai ka thënë se qeveria “faktikisht e dorëhequr” por që sipas tij duhet të legalizohet dorëheqja.
“Ky moment na thërret në përgjegjësi! Kjo përgjegjësi është më e afërt tani. Sepse, pas tre vite e gjysmë pushteti absolut, kjo qeveri është jo vetëm e dorëzuar, jo vetëm e paaftë të krijojë shpresë, por është faktikisht e dorëhequr. Duhet legalizim i kësaj dorëheqje për të kthyer mundësinë e shpresës së vërtetë në këtë vend.” – ka shkruar ai.
Më tej, ai pati disa komente edhe për takimin e Kurtit me kryetarin e PDK-së.
“Dhe pikërisht kjo ishte përgjigja ime dhe e Lidhjes Demokratike në ftesën për darkën e vonuar që duket të dalë dhe e gabuar! Pas tre vjet e gjysmë popullizëm e mungesë progresi thelbësor, pas tre vjet e gjysmë polarizim, ndarjeje shoqërore e nxitje të propagandës pa asnjë konsideratë njerëzore e politike, pushteti kishte menduar zgjedhjen e instrumentalizimit të opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh. Fatkeqësisht, në këtë instrumentalizim ka gjetur një aleat.”
“Por siç e kam thënë më parë, siç e them tani dhe do ta them secilën herë, që të na dëgjojnë më mirë e më qartë, Lidhja Demokratike e Kosovës refuzon farsën e darkave si mbulesë të një uniteti politik, që u përbuz kur u ofrua tash e tre vjet e gjysmë. LDK-ja farsave të tilla u jep përgjigje në mobilizim nacional të djathtë e patriotik! Derisa ata kthehen në origjinë, ne shikojmë drejt hijes së trashëgimisë së patriotëve të mëdhenj që bënë Lidhjen tonë dhe Kosovën të jetë të veçantë! Aty gjejmë dhe nevojën për përbashkim e për ringritje si një.”
“Prandaj, Të bashkuarit le të caktojnë datën. Të djathtit, ne, do ta caktojmë festën! LDK-ja është e gatshme të kërkojë besimin qytetar, e gatshme të marrë dhe përgjegjësinë e të projektojë të ardhmen që ky pushtet ka ngufatur me qëllim! Për të bërë këtë gjë, ka vetëm një rrugë, i thonë dorëheqje e menjëhershme e Qeverisë, si përgjegjëse e vetme e rrënimit të shtetësisë, krijimit të autonomisë, ngecjes ekonomike, polarizimit kombëtar, e eksodit të popullsisë! Fillimisht dorëheqja, më pas shpërbërja, në fund zgjedhjet! Ky është qëndrimi i LDK-së!” – ka shkruar ndër të tjera ai.