Abdixhiku: Dyfishimi i LDK-së në mbështetje s’duhet të na mjaftojë
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar rezultatin e sondazheve që tregojnë se partia e tij gati është dyfishuar.
Në Konventën Programore të LDK-së në Gjilan, ai ka thënë se dyfishimi i LDK-së në mbështetje nuk duhet të mjaftojë.
Sipas tij, kjo parti duhet ta vazhdojë rritjen.
“Përkundër progresit të jashtëzakonshëm në këtë kohë të shkurtër them se dyfishimi jonë në mbështetje s’duhet të na mjaftojë. Ne duhet të përmirësohemi e rritemi edhe më tutje. Ne duhet të mësojmë nga gabimet e shkuara e të ndërtojmë të ardhmen që shtëpia jonë politike e vendi ynë e meriton. Për ta bërë këtë përmirësim të mirëfilltë, ne nuk mund të qëndrojmë larg qytetarëve tanë dhe larg brengave të tyre”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se partia do të hapet edhe me tutje për ata që dëshirojnë t`i bashkohen politikës.
“Qytetarët kanë kërkuar me të drejtë që shpërthimi i rritjes politike të shndërrohet një mobilizim gjithënacional. Në Gjilan, po fillon cikli i takimeve me njerëzit në të gjithë Kosovën, në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje.”, ka thënë ai.