Abazi: Duhet të vetëdijësohen politikanët që mendonin se me "Ballkanin e Hapur" do paqtonin rajonin
Anëtari i degës së VV-së në Shqipëri, Boiken Abazi, ka kërkuar nga Qeveria e Shqipërisë që t’i ndryshojë politikat ekonomike, tregtare e diplomatike me Serbinë, pas kërcënimeve për luftë në Kosovë.
Abazi thotë se për serbët dhe rusët duhet të kthehet regjimi i vizave dhe rishikimi i politikave të sigurisë kombëtare.
“Dy republikat shqiptare duhet të flasin me një zë përball kërcënimeve që vinë nga Serbia.”, ka thënë ai ndër të tjera.
Shkrimi i plotë i Abazit:
Zyrtarët amerikanë, si ambasadori Delaëie, tani po e thonë shkoqur dhe publikisht: Serbia dhe Vuçiqi po nxisin aktualisht për luftë në rajon. Duhet të vetëdijësohen edhe ata politikanë e qytetarë që mendonin se me "Ballkanin e Hapur" do paqtonin rajonin. Javët e muajt në vijim të këtij viti duket se do jenë përcaktuese për të ardhmen e Ballkanit, tashmë që Serbia ka treguar se nuk e ka ndërmend të shkëputet nga Rusia. Nuk ka arsye për t'u trembur, por mbetet e domosdoshme që qeveria e Republikës së Shqipërisë të ndryshojë politikat ekonomike, tregtare e diplomatike në raport me Serbinë. Turistët serbë e rusë nuk mund të vinë në Shqipëri me "pushime" sikur s'po ndodh asgjë. Jo të gjithë serbët e rusët janë njerëz që ndjekin politikat e Vuçiqit e Putinit, por në një situatë ku Serbia e Rusia nxisin luftën në rajon, duhet rikthyer regjimi i vizave dhe duhen rishikuar me shpejtësi politikat e sigurisë kombëtare në raport me Serbinë e Rusinë në koordinim me NATO-n dhe aleatët tanë. Dy republikat shqiptare duhet të flasin me një zë përball kërcënimeve që vinë nga Serbia.