AAK: Rrugëdalja e vetme nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vulosur qëndrimin e saj politik, duke kërkuar zgjedhje të reja parlamentare si të vetmen dalje nga kriza aktuale institucionale. Zëdhënësi i partisë, Kushtrim Xhemaili, tha se në mbledhjen e Kryesisë të enjten, AAK-ja ka qenë unanime: vendi duhet t’u kthehet qytetarëve.
Xhemaili e mohoi kategorikisht çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar se partia nuk do ta mbështesë Glauk Konjufcën për asnjë post dhe nuk e sheh të mundur ndonjë marrëveshje qeverisëse me pushtetin aktual.
“AAK ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë të enjten, ku ka dalë me qëndrim të prerë, rrugëdalja e vetme nga gjendja në të cilën ndodhet vendi është shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Të gjithë ata që dalin në publik me ide të tjera, së pari është dashur t’i prezantojnë në mbledhje të Kryesisë, sikurse rasti i z. Besnik Krasniqit, i cili ka munguar në atë takim.Nuk ka koalicion me VV, nuk kemi votë për Konjufcën dhe askënd nga radhët e tyre”, ka shkruar Xhemaili