AAK parashtron pesë tema që duhet të adresohen me urgjencë në vitin 2024 - NACIONALE

AAK parashtron pesë tema që duhet të adresohen me urgjencë në vitin 2024

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se gjatë vitit 2024, pesë tema duhet të adresohen me urgjencë.

Tahiri ka thënë se fillimisht duhet të adresohet si temë arsimi, pasi që sipas tij situata është shumë e rënduar, dhe e njëjta ka reflektuar me rezultatin në PISA.

Më pas ai ka thënë se temë e dytë duhet të adresohet rritje e pagave në administratën e shtetit, gjithash edhe ulja e çmimit të energjisë elektrike.

Sipas Tahiri edhe rritja e pagës minimale në 450 euro është një ndër temat që duhet të adresohet gjatë këti viti.

Në fund, shefi i GP të AAK-së ka përmendur edhe mbështetjen për sektorin privat.

Postimi i plotë:

Në vitin 2024 me urgjencë duhet të adresohen 5 tema!

Viti që lamë pas mos të na i marrë me vete temat që kërkojnë trajtim urgjent. Në të kundërtën, kjo qeveri po mbetet institucioni ku mund të gjesh të gërshetuara të gjithë koleksionin e gënjeshtrave. Nuk duhet lejuar që viti 2024 të jetë vazhdimësi e një qeverisjeje të dështuar, me skandale të panumërta dhe pa vizion për zhvillim.

Gatishmëri e vullnet duhet të kemi në këto çështje nisur nga:

• Arsimi

Situata e rënduar në arsim që u reflektua me rezultatin e testit PISA, i cili ishte më i ulëti që Republika e Kosovës ndonjëherë e ka marrë, duhet të trajtohet me prioritet të lartë. Si grup parlamentar do të adresojmë tri çështje:

1. Të ndalet synimi për të ngulfatur përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit;

2. Përmirësimi i kushteve infrastrukturore të arsimit të lartë dhe,

3. Rritja e mbështetjes për hulumtime shkencore për Universitetet publike.

• Rritja e Pagave në Administratën e Shtetit

Për tri vite rresht, kjo Qeveri katër herë e ka pasur Ligjin e Pagave në agjendën legjislative. Edhe atëherë kur e kanë miratuar këtë ligj, një numër të caktuar të kategorive ka zvogëluar pagën, te një numër i madh e ka rritur 10-20 euro. Grupi parlamentar i AAK-së do të iniciojë rritjen e pagave përmes koeficientit në Ligjin e Pagave dhe ngritjen vlerës së koeficienitit përmes Ligjit për Buxhet.

• Ulja e çmimit të energjisë elektrike

Të gjitha çmimet kanë shënuar rritje, përveç pagave. E, rritje e papërballueshme e çmimit për qytetarët u shtua edhe ajo e rrymës. Grupi Parlamentar i AAK-së do të nis iniciativë në Kuvendin e Kosovës për uljen e çmimit të energjisë elektrike.

• Rritja e pagës minimale në 450 euro

Ligji për Pagën Minimale për momentin është në Gjykatën Kushtetuese. Si grup parlamentar presim që kërkesa jonë të miratohet dhe menjëherë të nis amandamentimi i ligjit të ri.

• Mbështetja për sektorin privat

Për dy vite mbi një miliard euro të cilat kanë qenë të dedikuara të investohen në projekte kapitale, nuk janë shpenzuar në Kosovë. Si rezultat, kemi shkolla më pak, çerdhe më pak, rrugë më pak, investime më pak dhe punësim më pak. Si grup parlamentar do të insistojmë në interpelanca të rregullta pse s’po ndodhin shpenzimet. Nëse vazhdon bllokimi i investimeve kapitale, po kontribuojmë në ikjen e qytetarëve nga vendi. Tashmë, rruga u është hapur!

Lajme të ngjashme